Historia

Tregtaret e Paqes

Në vitin 1919, disa biznesmenë vendosën të krijonin një organizatë, e cila do të mund të përfaqësonte biznesin kudo nëpër botë.Grupi i përbërë prej industrialistësh, financierësh dhe tregtarësh ishte i vendosur të sillte prosperitet ekonomik në një botë e cila ishte akoma e lëkundur nga shkatërrimet e Luftës së Parë Botërore. Ata krijuan Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë dhe u vetë-quajtën ‘’Tregtarët e Paqes’’.

Në botë ekzistonin shumë pak struktura ndërkombëtare, të cilat synonin plotësimin e menjëhershëm të nevojave të lindura nga konfliktet e fillim shekullit të 20-të. Akoma nuk ekzistonte një sistem rregullash ndërkombëtare që të drejtonte tregtinë, investimet, financat ose marrëdhëniet tregtare. Tashmë ishte kthyer në diçka të pashmangshme. Sektori privat, i cili do të fillonte të ngushtonte hendekun e krijuar nga mungesa e këtyre sistemeve pa pritur për veprime të qeverive vendase.

Edhe pse në atë kohë pionerët nuk ishin të vetëdijshëm, por ato po krijonin një organizatë e cila do të ishte e domosdoshme për ekonominë botërore. Përgjatë viteve, ICC mori një rol qëndror në tregtinë ndërkombëtare dhe në biznes. Ajo formuloi rregullat ndërkombëtare, mekanizma dhe standarte të cilat përdoren çdo ditë gjerësisht në një botë shumë më tepër komplekse se ajo e vitit 1919.

Ndërkohë bërthama origjinale e përbërë prej pesë shtetesh fillimisht, tani është zgjeruar duke krijuar kështu një organizatë botërore të biznesit me qindra e mijëra kompani anëtare të shpërndara në më shumë se 120 vende. Anëtarët e ICC-së përbëhen nga kompani shumëkombëshe, ndër më të mëdhatë në botë, si edhe nga kompani të vogla dhe të mesme.

Një pjesë e mirë e nismës dhe organizimit fillestar të ICC-së, është frymëzuar nga presidenti i parë i saj, Etienne Clémentel, një ish-ministër francez i tregtisë. Nën udhëheqjen e tij, sekretariati i organizatës ndërkombëtare  më të re u vendos si qendër në kryeqytetin francez, Paris. Z. Clémentel ishte një ndër personat kyç në krijimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të ICC-së në vitin 1923.

Qysh prej fillimit të saj, ICC foli në emër të bizneseve duke realizuar grupe përfaqësish pranë qeverive dhe organizatave ndërqeveritare. Në  vitin 1924, tre anëtarë të ICC-së shërbyen si delegatë në Komisionin Dawes, i cili hartoi traktatin ndërkombëtar mbi rimëkëmbjet e luftës.

Rreth viteve ‘20, ICC u fokusua në rimëkëmbjen nga dëmtimet dhe borxhet e luftës. Në vijim, tarifa shkatërruese e Smoot-Hawley e vendosur në Shtetet e Bashkuara, solli në skenë nacionalizmin ekonomik të viteve ’30. ICC luftoi përgjatë atyre viteve depresionin për të rimarrë vijën e masave mbrojtëse ndërkohë që një luftë tjetër po shfaqej në sfond.

ICC në vitin 1933, publikoi versionin e parë të Rregullave dhe Praktikave Uniforme për Kreditë Dokumentare, akoma në përdorim nga bankat nepër botë për financimin e tregtisë. Incoterms®, përcaktimet standarte të tregtisë, të cilat janë familjare për çdo tregtar u prezantuan në vitin 1936 dhe përditësohen kurdoherë që nevojitet. Gjatë vitit në vijim, ICC prezantoi Kodin Ndërkombëtar mbi Praktikat e Reklamave.

ICC, në vitin 1946, u vlerësua me statusin më të lartë të këshilltarit nga Kombet e Bashkuara dhe që nga ajo kohë ICC ka përfaqësuar sektorin privat duke u angazhuar në një sferë të gjerë aktivitetesh me KB dhe agjencitë e saj të specializuara.

ICC ka qënë një avokat vigjilent i sistemeve të tregtisë së lirë shumëpalëshe përmes tryezave tregtare të ndryshme, si ishte Tryeza e Doha-s. Ndërkohë që anëtarësia e ICC-së përfshinte vende të reja në zhvillim, organizata hodhi hapat për hapjen e tregjeve botërore për produktet vendase, veçanërisht atyre agro-kulturore.

Për të përmbushur nevojat e anëtarëve të saj, ICC zgjeroi aktivitetet përgjatë viteve. Njësia e Shërbimeve të Krimeve Tregtare të ICC-së, me vendndodhje në Londër, u krijua si entitet në vitet ’80, për të adresuar të gjitha aspektet e krimit tregtar. Federata Botërore e Dhomave mundësoi një hapësirë komunikimi për dhomat e tregtisë nëpër botë.

Sot, 13 komisione të ICC-së, të përbëra nga ekspertë nga sektori privat, mbulojnë fusha të specializuara të cilat kërkojnë vëmendje të menjëhershme të biznesit ndërkombëtar. Çështjet variojnë nga teknikat bankare tek taksimi, nga ligji i konkurencës tek të drejtat e pronësisë intelektuale, telekomunikacioni dhe teknologjia e informacionit, nga transporti, mjedisi dhe energjitika tek investimet ndërkombëtare dhe politikat tregtare.

Të gjitha aktivitetet përmbushin atë çfarë Kushtetuta e ICC-së përcakton nën moton ‘’Të vijohet zhvillimi i një ekonomie botërore të lirë me vetëbesimin që këmbimet tregtare ndërkombëtare të jenë synimi i një prosperiteti më të madh global dhe paqja të ekzistojë mes kombeve.’’